Sot më datë 08 korrik 2022, pranë Fushave Multisportive, afër Amfiteatrit të Tiranës u zhvillua aktiviteti mbi implementimin e Marrëveshjes së Bashkëpunimit të nënshkruar ndërmjet Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit.
Në takim morën pjesë Drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit të Provës z. Ervin Hoxha, Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë së Parqeve dhe Rekreacionit znj. Erinda Fino, Drejtori i Degës Territoriale të Shërbimit të Provës Tiranë z. Eriant Kulluri, znj. Erinda Dogga (APR), specialistë të Shërbimit të Provës Tiranë z. Nikollaq Jano, znj. Edita Papa si edhe persona të vendosur nga gjykata në mbikqyrje për kryerjen e punës në interes publik.
Aktiviteti synoi ndërgjegjësimin dhe informimin e qytetarëve mbi rëndësinë e mbështetjes së personave në konflikt me ligjin dhe qasjen sociale e humane në rehabilitimin e tyre, duke parë nga afër se si këta persona asistojnë në rehabilitimin e tyre por edhe në mirëmbajtjen e qytetit.
Marrëveshja e Bashkëpunimit midis dy institucioneve është në funksion të ekzekutimit të dënimit alternativ “kryerja e një pune në interes publik” për personat nën mbikëqyrje dhe të miturit në konflikt me ligjin me këtë lloj dënimi, me qëllim mbrojtjen e interesave të komunitetit, parandalimin e kryerjes së veprave penale, asistimin e personit nën mbikëqyrje dhe të miturit në konflikt me ligjin gjatë kryerjes së denimit alternativ për përmbushjen e detyrimeve dhe kushteve që rrjedhin nga ky dënim, si dhe në kapërcimin e vështirësive për riintegrimin e tij shoqëror.
Bashkëpunimi me Agjencinë e Parqeve dhe Rekreacionit është një urë e re e lidhur për të ndikuar në shmangien e recidivizmit në shoqëri dhe dhënie e një mundësie të dytë çdo individi për t’u përmirësuar më tej. Përfshirja e personave në konflikt me ligjin në mirëmbajtjen e parqeve të qytetit të Tiranës, kopështit zoologjik, varrezave të dëshmorëve apo përfshirjen në asistim të dhënies së informacionit për to synon që t’i bëjë të gjithë qytetarët të denjë për qytetin e tyre, pavarësisht situatave në të cilat ata ndodhen.