Takimi ndër institucional me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit.

Sot më datë 31.10.2022 u zhvillua takimi ndër institucional me Dhomën Kombëtare të Ndërmjetësimit. Të pranishëm në takim ishin Zj. Drita Avdyli, drejtuese e kësaj dhome dhe Zj. Eriona Kola, Zj. Era Bilbilaj, Zj. Evangjelica Leka specialist pranë Degës Territoriale të Shërbimit të Provës, Tiranë. Tema të diskutimit ishin në lidhje me rolin dhe misionin e Shërbimit të Provës dhe të Ndërmjetësit, mundësi bashkëpunimi ndërinsticional dhe sfida e drejtësisë restauruse. Shërbimi i Provës në misionin e tij ka si qëllim ri-integrimin dhe rehabilitimin e personave nën mbikëqyrje të dënuar nga Gjykata, ndaj të cilëvë është aplikuar një nga dënimet alternative (Neni 58, 59, 59/a, 63, 64 të Kodit Penal).

Shërbimi i Provës, në veprimtarinë e tij ushtron funksionin referuar ligjit 78/2020 “Për organizimin dhe funksionimin e Shërbimit të Provës” si dhe të ligjit 79/2020 “Për ekzekutimin e vendimeve penale”.

Finalizimi i një marrëveshjeje bashkëpunimi midis Shërbimit të Provës dhe Dhomës Kombëtare të Ndërmjetësimit shihet si një mundësi për lehtësimin e procedurave, zgjidhjen më të shpejtë dhe efektive të konflikteve, pasojë e ardhur nga kryerja e veprës penale nga autorët. Roli i ndërmjetësuesit shihet si një hallkë e rëndësishme në drejtësinë restauruese dhe si e tillë kjo duhet të reflektohet në këtë marrëveshje bashkëpunimi, apo edhe me ndryshimet e nevojshme ligjore sa i përket drejtësisë restauruese.

Fusha e zbatimit të kësaj marrëveshje mund të përshkruhet si e gjerë dhe e larmishme. Ndërmjetësimi në fushën penale zbatohet për mosmarrëveshjet që shqyrtohen nga gjykata me kërkesën e të dëmtuarit akuzues, ose me ankim të të dëmtuarit, sipas neneve 59 dhe 284 të Kodit të Procedurës Penale, si dhe në çdo rast kur ligji i veçantë e lejon atë.

Në bazë të nenit 59, të ndryshuar të Kodit të Procedurës Penale, i dëmtuari nga vepra penale ka të drejtë të paraqesë kërkesë në gjykatë dhe të marrë pjesë në gjykim si palë për të vërtetuar akuzën dhe për të kërkuar shpërblimin e dëmit, vetëm në rastin e disa veprave penale të parashikuara në Kodin Penal, si vijon:

-dëmtime të tjera me dashje (neni 90 i K.P.),

-plagosje e rëndë nga pakujdesia (neni 91 i K.P.),

-plagosje e lehtë nga pakujdesia (neni 92 i K.P.),

-dhunim i banesës (neni 112 i K.P., paragrafi i parë),

-fyerje (neni 119 i K.P.),

-fyerje me motive racizmi ose ksenofobie nëpërmjet sistemit kompjuterik (neni 119/b i K.P.),

-shpifje (neni 120 i K.P.),

-ndërhyrje të padrejta në jetën private (neni 121 i K.P.),

– përhapje e sekreteve vetjake (neni 122 i K.P.),

-mosdhënia e mjeteve për jetesë (neni 125 i K.P.),

-marrja e padrejtë e fëmijës (neni 127 i K.P.),

-botimi i veprës së tjetrit me emrin e vet (neni 148 i K.P.),

-riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit (neni 149 i K.P.),

-si dhe shkelja e paprekshmërisë së banesës (neni 254 i K.P.).

Për sa i përket rasteve të përcaktuara në nenin 284, të ndryshuar të Kodit të Procedurës Penale, në të cilat ankimi i të dëmtuarit nga vepra penale është kusht për nisjen e ndjekjes penale, llojet e veprave penale për të cilat mund të zbatohet edhe ndërmjetësimi janë si vijon:

-plagosja e lehtë me dashje (neni 89 i K.P.),

-marrëdhënie seksuale me dhunë me të rritura (neni 102 i K.P., paragrafi i parë),

-marrëdhënie seksuale ose homoseksuale duke shpërdoruar detyrën (neni 105 i K.P.),

-marrëdhënie seksuale ose homoseksuale me persona në gjini ose nën kujdestari (neni 106 i K.P.),

-shtrëngimi ose pengimi për të bashkëjetuar ose për të zgjidhur martesë (neni 130 i K.P.),

– dhuna në familje (neni 130/a i K.P.)

-fyerja për shkak të detyrës (neni 239 i K.P.),

-shpifja për shkak të detyrës (neni 240 i K.P.),

-shpifja ndaj Presidentit të Republikës (neni 241 i K.P.),

-goditjet ndaj pjesëtarëve të familjes së personit që kryen një detyrë shtetërore (neni 243 i K.P.),

-detyrimi për të marrë pjesë ose jo në grevë (neni 264 i K.P.),

-përdorimi me keqdashje i thirrjeve telefonike (neni 275 i K.P.),

-fyerja e gjyqtarit (neni 318 i K.P.)

Më sipër kemi cituar disa nga veprat penale kur roli i ndërmjetësuesit shihet me vend për zgjidhjen e situatës konfliktuale mes palëve.

Sa i përket ekzekutimit të vendimeve penale ku ndër të tjera janë vendosur detyrimet e të dënuarit të vënë në provë siç është aplikimi i nenit 60/3 të Kodit Penal “Riparimi i dëmit civil”, rëndësi të vecantë merr roli i ndërmjetësit dhe zgjidhja e kësaj problematike mes palëve me ndërmjetësim, kështu që është e nevojshme një rregullim në kuadrin ligjor ku të ketë një qasje alternative në zgjidhjen e konflikteve apo të pasojave që vijnë nga kryerja e veprave penale.

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on pinterest

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Prove your humanity: 10   +   8   =