Ministri i Drejtësisë z. Ulsi Manja mori pjesë në eventin e organizuar nga Dr. Roberto De Bernardi, Përfaqësues i UNICEF-it, me rastin e ardhjes në Shqipëri të Gjyqtare Renate Winter e cila është një personalitet ndërkombëtar në fushën e të drejtave të fëmijëve. Winter është një anëtare themeluese e Institutit Ndërkombëtar për të Drejtat e Fëmijëve (IDE), i cili i kushtohet trajnimit mbarëbotëror të personelit gjyqësor dhe shpërndarjes së informacionit mbi të drejtat e fëmijëve. Për gati 15 vjet Renate Winter ka qenë gjyqtare në Gjykatën Rinore të Vjenës, ku ka ndërmarrë projekte për të ndihmuar në rehabilitimin e të miturve me probleme të varësisë nga droga dhe aftësi të kufizuara mendore.
Në event morën pjesë Ambasadori i Austrisë, Ambasadorja e Francës, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, drejtues nga Kombet e Bashkuara, Qendra e Parandalimit të Krimeve të të Miturve dhe të Rinjve, përfaqësues nga Ambasada Amerikane, UNICEF, Terre des Hommes, Word Vision, Drejtoria e Përgjithshme e Shërbimit të Provës, Avokati i Popullit, deputetë dhe ekspert të të drejtave të fëmijëve, etj.