Në bazë të Planit Vjetor të Aktiviteteve, në datë 21.06.2022 DTShP Përmet ka realizuar takim me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet.
Objektiv kryesor i takimit u përcaktua përmirësimi i metodave dhe kushteve të aplikimit dhe zbatimit të dënimeve alternative, posaçërisht zbatimit të dënimeve dhe detyrimeve alternative për të miturit në konflikt me ligjin, si një vizion i përbashkët i dy institucioneve.
Qëllimi final i takimit ishte ofrimi i zgjidhjeve për problematikat e hasura në zbatimin dhe ekzekutimin e dënimeve alternative apo masave alternative për të dënuarit si mënyra më efektive e edukimit dhe parandalimit të kriminalitetit. Të garantojmë zbatimin e drejtësisë penale për të miturit në konflikt me ligjin, gjatë fazës së hetimit dhe të ekzekutimit të dënimit, në mënyrë që të arrijmë mbrojtjen efektive të drejtave dhe lirive të fëmijëve.
Në takimin e organizuar me Prokurorinë e Rrethit Gjyqësor Përmet në datë 21.06.2022 ora 10:30 – 12:20 kanë marrë pjesë Drejtuesi i Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Përmet Asllan Barjamaj, Oficeri i Policisë Gjyqësore Agron Nakollari ndërsa nga dega territoriale e Shërbimit të Provës Përmet morën pjesë drejtoresha Merita Hodaj dhe specialisti Luzvan Meçi.
Në hapje të takimit nga Drejtori i DTSHP Përmet është bërë një prezantim i përgjithshëm i rolit të Shërbimit të Provës në të gjitha fazat e drejtësisë penale duke vënë theksin jo vetëm në rolin që shërbimi i provës luan gjatë ekzekutimit të dënimeve alternative por edhe rëndësisë që ai ka gjatë fazës së hetimeve apo gjykimit nëpërmjet hartimit të raporteve.
Më pas është diskutuar mbi problematikat e hasura gjatë punës së dy institucioneve në zbatimin e dënimeve alternative dhe masave alternative të të dënuarve. Gjithashtu u vu theksi në aplikimin e plotë të kuadrit ligjor të drejtësisë penale për të mitur në rolin dhe përgjegjësitë që Shërbimi i Provës dhe Prokuroria ka në këtë proces. U kërkua zbatimi sa më efektiv i masave të shmangies nga ndjekja penale për të miturit, jo vetëm aplikimi i dënimit alternativ të parashikuar nga neni 59 i Kodit Penal.
Në përfundim të takimit nga të dy institucionet u dakortësua rëndësia e aplikimit dhe zbatimit sa më të gjerë të dënimeve alternative duke reduktuar së tepërmi aplikimin e dënimit me burgim.
Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Përmet ka një përqindje të lartë të kërkimit të aplikimit të dënimeve alternative në raport me kërkimin e aplikimit të dënimit me burgim. Për vitin 2022, dënimet alternative janë aplikuar në 70% të vendimeve penale.