Në kuadër të Planit Vjetor të Aktiviteteve, më datë 30.06.2022 Dega Territoriale e Shërbimit të Provës Tiranë ka zhvilluar takim me Drejtuesin e Seksionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, me qëllim rritjen dhe fuqizimit të bashkëpunimit midis dy institucioneve si dhe rritjen e efikasitetit në lidhje me ekzekutimin e dënimeve alternative.
Në takim morën pjesë Drejtuesi i Seksionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale pranë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, Z. Ylli Bashaj, drejtori i Degës Territoriale të Shërbimit të Provës Tiranë, Z. Eriant Kulluri (në mungesë), Z. Jetmir Dedaj, Zj. Eristjana Karçanaj, Zj. Eriona Kola, Zj. Era Bilbilaj si dhe Zj. Migena Koçollari specialistë pranë kësaj dege.
Fokusi kryesor i takimit ishte diskutimi problematikave të ndryshme që hasim gjatë ekzekutimit, si të përmirësojmë metodat, kushtet e aplikimit dhe zbatimit të dënimeve alternative, veçanërisht zbatimit të dënimeve alternative për të miturit në konflikt me ligjin, si një pikëpamje e përbashkët e dy institucioneve. U ra dakort që duhet të kryhet një punë e përbashkët nga të dy institucionet që të arrihet garantimi i zbatueshmërisë së drejtësisë penale për të miturit në konflikt me ligjin, gjatë fazës së hetimit dhe të ekzekutimit të dënimeve alternative, në mënyrë arritjen e mbrojtjes efektive të drejtave dhe lirive të të miturve.
Gjithashtu u diskutua në lidhje me fillimin e periudhës së provës nga data e vendosjes së kontaktit të parë me personin nën mbikëqyrje në rastet kur urdhëri i ekzekutimit apo vendimi penal nuk depozitohet pranë Shërbimit të Provës nga dita e nesërme e shpalljes së vendimit penal nga Gjykata, po ashtu u trajtuan raste konkrete nga puna e përditshme me personat nën mbikëqyrje.
Theksi u vu në aplikimin më të gjerë të Nenit 476 të Kodit të Procedurës Penale në lidhje me shtyrjen e ekzekutimit të vendimit në rastet e personave nën mbikëqyrje të cilët gjatë periudhës së provës dyshohet të kenë kryer vepra të tjera penale dhe gjenden nën masat e sigurimit personal “Arrest me burg” dhe “Arrest shtëpie” .
Takimi u zhvillua në një frymë bashkëpunimi dhe diskutimesh në sensin pozitiv duke sqaruar dhe zgjidhur çdo problematikë të hasur mes dy institucioneve duke lënë mundësi diskutimi për çdo rast specifik në lidhje me zbatimin sa më korrekt dhe efikas të ligjit për ekzekutimin e dënimeve alternative.
Dega Territoriale e Shërbimit të Provës Tiranë ka zhvilluar takim me Drejtuesin e Seksionit të Ekzekutimit të Vendimeve Penale
- July 4, 2022