MARRËVESHJE BASHKËPUNIMI MES MINISTRISË SË DREJTËSISË DHE BASHKISË SË TIRANËS PËR TRAJTIMIN E TË MITURVE NË KONFLIKT ME LIGJIN

Ministrja e Drejtësisë, Znj. Etilda Gjonaj dhe Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Z. Erion Veliaj nënshkruan marrëveshjen e bashkëpunimit për zbatimin e masës alternative të shmangies nga ndjekja penale për të miturit në konflikt me ligjin. Kjo marrëveshje përbën një risi dhe krijon mundësi më efektive për trajtimin e fëmijëve që kanë probleme me ligjin në mjedise më miqësore, ku të miturit në konflikt me ligjin do të kenë mundësi të trajtohen pranë komunitetit të tyre, duke u përfshirë në programe të veçanta socializuese në qendrat sociale të Bashkisë së Tiranës, ku Tirana bëhet qyteti i parë që mundëson infrastrukturën e duhur për realizimin e kësaj marrëveshje.

Në bazë të marrëveshjes, Bashkia e Tiranës vë në dispozicion të trajtimit dhe të rehabilitimit të të miturve në konflikt me ligjin, pesë qendra sociale multifunksionale si dhe gjithë stafin e saj të punonjësve të njësive për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve, punonjësve social dhe psikologëve.

Ministria e Drejtësisë nëpërmjet Institucionit të Shërbimit të Provës do të nisë menjëherë punën në realizimin e detyrimeve që rrjedhin prej kësaj marrëveshje dhe që ka të bëjë me referimin e fëmijëve me probleme me ligjin dhe mbikëqyrjen e tyre për tu rehabilituar dhe riintegruar në shoqëri. Qëllimi kryesor i marrëveshjes është mbrojtja dhe garantimi i interesit më të lartë të fëmijës, integrimi, rehabilitimi dhe mbrojtja e të drejtave të tyre.

Në vazhdimësi Ministria e Drejtësisë do të nënshkruajë një sërë marrëveshjesh të këtij lloji me bashki të tjera në të gjithë vendin, ku të miturit me dënime alternative, do të kenë mundësinë të trajtohen dhe të marrin shërbimet e duhura, ashtu siç marrin shërbimin dhe trajtimin kategori të caktuara fëmijësh, ku të miturit në konflikt me ligjin do të kenë mundësi të këshillohen, informohen dhe asistohen se si mund të përmirësojnë sjelljen dhe se si mund të riparojnë dëmin e shkaktuar.

Share on facebook
Share on twitter
Share on linkedin
Share on pinterest

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *

Prove your humanity: 10   +   1   =