Programi Shqiptar-Suedez i Drejtësisë për të Mitur është një program i cili ka për qëllim forcimin e kapaciteteve të agjencive ligjzbatuese shqiptare dhe gjykatave për të përmbushur standardet e të drejtave një njeriut në sektorin e drejtësisë penale për të mitur, nëpërmjet një qasje gjithëpërfshirëse të zinxhirit të drejtësisë, duke përfshirë Policinë e Shtetit, prokurorinë, gjykatën, Shërbimin e Provës dhe burgjet. Programi është një përpjekje e përbashkët e qeverive shqiptare dhe suedeze për të implementuar një qasje miqësore të drejtësisë për të miturit dhe është financuar nga Agjencia Ndërkombëtare Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim (SIDA).
Programi ka nisur në vitin 2017, duke zhvilluar studimet përkatëse mbi legjislacionin dhe kapacitetet shqiptare për zbatimin e një drejtësie miqësore për të miturit. Në mars të vitit 2018 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit mes Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit të Provës dhe Shërbimit Suedez të Burgjeve dhe të Provës.
Sa i përket Shërbimit të Provës, programi ka qenë i suksesshëm në disa aspekte. Së pari, në bashkëpunim me ekspertët suedezë janë hartuar disa instrumente për trajtimin e çështjeve të të miturve në konflikt me ligjin:
• Raporti i Mospërmbushjes së Masës Alternative të Masës së Shmangies nga Ndjekja Penale,
• Raporti i Vlerësimit Individual për të Miturin në Konflikt me Ligjin,
• Shkallën e Vlerësimit të Riskut dhe Nevojave të të Rinjve “YRNAS”,
• Plani Individual i Trajtimit.
Gjithashtu, programi ka zhvilluar shumë trajnime përgjatë këtyre viteve të stafit të Shërbimit të Provës, duke përfshirë 24 specialistë të të gjitha Degëve Territoriale të caktuar për trajtimin e çështjeve të të miturve në konflikt me ligjin si dhe inspektorin e këtyre çështjeve. Trajnimet janë fokusuar në përdorimin e instrumenteve të sipërpërmendur, por edhe në teknika të Intervistimit Motivues dhe të ndërhyrjeve psikologjike bazuar në orientimin psikologjik të njohjes dhe të sjelljes (CBT). Këto trajnime janë pasuar dhe me aktivitete mentorimi të punonjësve të trajnuar, për të parë mënyrën e përdorimit të instrumenteve dhe teknikave si dhe për të adresuar vështirësitë dhe problematikat e hasura në praktikën e trajtimit të të miturve.
Programi ka pasur disa shtyrje, duke qenë se fundi i tij ishte planifikuar në mesin e vitit 2020, por që për shkak të pandemisë së COVID-19 ishte e pamundur përfundimi i të gjitha aktiviteteve të planifikuara. Në fillim programi u shty deri në fundin e vitit 2021 e më pas deri në mesin e vitit 2022.
Për sa i përket vitit 2022, aktivitetet kryesore të planifikuara kanë në fokus trajnimin e stafit drejtues si dhe ndërtimin e një modeli qëndrueshmërie për të ardhmen.
Tel: +355 4 2227928
Rruga ”Jordan Misja”, Ndërtesa 6/1, Hyrja 1, Kodi Postar 1016.