Në bazë të Planit Vjetor të Aktiviteteve, në datë 13.06.2022, u realizua një tryezë diskutimi në Gjykatën e Rrethit Gjyqësor Krujë, me Kryetaren e Gjykatës Krujë znj. Alma Kolgjoka (Hoxha), ku të pranishëm ishin edhe Kancelari z. Argjend Qesja, Kryesekretari z. Biandri Ahmetsula, së bashku me përfaqësueset e Degës Territoriale të Shërbimit të Provës Krujë.
Gjykata si pjesë përbërëse themelore e sistemit të drejtësisë, ka gjithashtu për detyrë të sigurojë një proçedim të drejtë, të barabartë e të rregullt ligjor, të mbrojë liritë personale dhe të drejtat e interesat e ligjshme të shtetasve, të ndihmojë për forcimin e rendit juridik dhe zbatimin e Kushtetutës e të ligjeve të tjera, ndaj edhe Shërbimi i Provës në bashkëpunimin e deri më tanishëm ka garantuar gjithashtu zbatimin me korrektësi të të gjitha përcaktimeve të mësipërme.
Nga ana e Gjykatës Krujë, dënimi alternativ më i aplikuar është ai i pezullimit të dënimit me burgim dhe vënien në provë, i ndjekur nga kryerja e një pune me interes publik, ndërsa këtë vit ka patur një rënie të kërkesave me objekt “lirim me kusht” , për shkak të transferimeve të të dënuarve nga IEVP-ja Fushë Krujë dhe IEVP Krujë (Zahari), që janë nën juridiksionin tonë.
Në përfundim të kësaj tryeze pasi u diskutuan gjithë problematikat e konstatuara gjatë punës së përbashkët, u përcaktuan dhe sfidat e përbashkëta për të ardhmen ndër të cilat :
- Prioritet do të jetë drejtesia për të miturit në konflikt me ligjin dhe aplikimi i sa më shumë masave alternative për të miturit në konflikt me ligjin.
- Shpejtësia e gjykimit e cila bën të mundur dhënien e drejtësisë në një kohë sa më të shpejtë për të mundësuar realizimin e së drejtës, pasi vonesa tej afateve të arsyeshme sjell mohimin e saj.
- Ndryshimet që do të sjell harta e re gjyqësore dhe sa të aksesueshëm e të adaptueshëm do të mund të jemi.
- Ndryshimet strukturore/organike që do të miratohen edhe për Shërbimin e Provës.
- Bashkëpunimin e mëtejshëm dhe realizimin e sa më shumë takimeve për shkëmbime mendimesh për çështje të veçanta, por edhe problematikave të ndryshme.